Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të parashikojë një seancë të hapur për publikun për rastin e Belinda Ballukut, e cila është e pezulluar me vendim të GJKKO.
Por kjo u ankimua nga qeveria në Kushtetuese.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama, i bën presion gjykatës në forma nga më të ndryshmet, por ai i kërkoi gjyqtarëve që të denoncojnë çdo ndërhyrje në punën e tyre.
“Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij në këtë aferë dhe afera të tjera që vijnë pas. Rama kundërmon sot në Evropë dhe në Botë, si kampion i vjedhjeve të popullit të vet”, tha Berisha.
Berisha thekson se Rama rishkruan dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij.
“Rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij, se sa për Lubinë, e kishte hedhur 10 herë në Lanë deri tani”, tha Berisha.
Berisha: Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese të vendit zhvillohet një betejë e pashembullt në historinë e një vendi, midis institucionit të dorëheqjes dhe institucionit të vjedhjes, të përfaqësuar nga qeveria, mësohet se gjykata në një presion të tmerrshëm vendosi të shqyrtojë çështjen e përfaqësuar nga avokati i vjedhjeve qeveritare, Edvin Kristaq Rama.
Duke mos komentuar më tej, në këtë çështje, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të parashikojë seancë publike në gjykimin e kësaj çështje pasi është çështja më e nxirë në historinë e jurisprudencës evropiane dhe botërore.
Kurrë ndonjëherë, një kryetar qeverie, një kryeministër, shef ekzekutivi, president qoftë ai, nuk ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese për të mbrojtur masat që gjykatat e tjera kanë marrë për vjedhje klamoroze të dokumentuara në të gjitha aspektet.
Ky akt i Edi Ramës lidhet absolutisht vetëm me implikimin e tij gjer në veshë në këtë aferë dhe në afera të tjera që vijnë pas.
Edi Rrma kundërmon sot në Europë dhe në botë si kampion i vjedhjeve të popullit të vet dhe kundërmon si Ramaduro apo Noriega e Europës.
Përpiqet i mbyturi të kapet në fije bari, të bëjë presione nga më absurdet ndaj sistemit gjyqësor në një kohë kur është absolutisht i pashpresë.
Është një bashkëpunëtor i organizatave kriminale dhe karteleve të drogës dhe ky është kualifikimi botëror sot për Edvin Kristaq Ramën.
Pa dyshim hyn në Gines.
Është regjistruar në Gines si kryeministri i parë në histori që në vend të dorëheqjes ndaj ministres së tij, bëhet avokat në gjykata dhe kërkon ta mbrojë duke i dëshmuar popullit të vet se çfarë fatkeqësie dhe mjerimi u ka sjellë ai gjatë qeverisjes së tij.
I kërkoj parlamentit të bëjë të gjitha demarshet që Gjykata Kushtetuese të zhvillojë seancë plenare të hapur për publikun, në të cilën shqiptarët të shohin me sytë e tyre, të dëgjojnë me veshët e tyre se si Edi Rama ka zëvendësuar institucionin e dorëheqjes dhe shkarkimit me institucionin e vjedhjes qeveritare.
U bëj thirrje gjykatësve të denoncojnë në format që i gjykojnë të përshtatshme çdo lloj ndërhyrje në punën dhe veprimtarinë e tyre dhe të hedhin në kosh mashtrimet dyditore të Edi Ramës, duke cituar Komisionin e Venecias për gjëra që ai nuk i ka thënë kurrë, nuk i ka shkruar kurrë.
Pra, Edi Rama rishkruan edhe dokumentet për të mbrojtur e vet.
Rishkruan edhe dokumentet e Komisionit të Venecias dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Rishkruan Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur veten e tij, se sa për Lubinë, e kishte hedhur 10 herë në Lanë deri tani.
