Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyten qindra hektarë tokë bujqësore

Mëngjesin e sotëm, qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme në fshatin Murqinë të Krujës, janë gdhirë nën ujë.

Shkak i kësaj situate është bërë dalja nga shtrati e lumit Ishëm, si pasojë e reshjeve të dendura të rëna gjatë 24 orëve të fundit.

Lagja fundore e fshatit Murqinë që lidh lagjen me pjesën tjetër të vendit, është e izoluar pasi rruga është mbuluar nga uji, niveli i të cilit në disa pika shkon rreth 40 cm, duke e bërë rrugën të kalueshme vetëm me mjete të larta…

Fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për problematika të tjera, por gjithçka varet nga reshjet dhe prurjet e lumit nga Tirana.

Nëse shirat do vijojnë me intensitet dhe prurjet e lumit do rriten, situata do agravojë.

Mjafton të kujtojmë në të shkuarën, ku për të evakuuar banorët nga disa lagje të këtij fshati është dashur ndërhyrja e polumbareve me gomone, por edhe ndërhyrja me helikopter.

Është i frikshëm fakti se edhe pse kjo zonë përmbytet çdo vit, madje disa herë në vit, asnjë masë nuk është marrë për përmirësimin e kësaj gjendjeje e cila vijon prej dekadash.


Shtuar 27.11.2025 10:08