Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vendosur ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke mbështetur kërkesën zyrtare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimi lidhet veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po përballen me procese gjyqësore pranë këtyre Dhomave.
Në arsyetimin e vendimit, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka kundërshtuar sërish çdo përpjekje për deformimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe për vendosjen në të njëjtin plan të popullit që luftoi për liri me regjimin serb që e kishte shtypur atë. Ajo vijon gjithashtu konsultimet institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës, të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe të të drejtave e interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.
Të lidhura
None found
Para se presidentja të merrte këtë vendim, juristi Blerim Burjani dhe profesori Kolë Krasniqi kishin analizuar për “Bota sot” kompetencat presidenciale, procedurën që ndiqet pas kthimit të një ligji në Kuvend dhe kufizimet kushtetuese që duhet të respektohen gjatë ndryshimit të tij.
Burjani: Presidentja mund ta kthejë ligjin dhe të mos e nënshkruajë
Juristi Blerim Burjani kishte deklaruar se presidentja mund ta rikthejë ligjin në Kuvend brenda 8 ditësh, pa u përballur me pasoja. Sipas tij, kjo procedurë u krijon mundësi hartuesve të ligjit të korrigjojnë mangësitë e mundshme dhe të shmangin përplasjet me Kushtetutën, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi pa pengesa.

“Presidentja ka të drejtë të mos e nënshkruajë dhe ta kthejë ligjin në Kuvend. Ajo ka një afat prej 8 ditësh për ta kthyer, për ta refuzuar ose për të mos e nënshkruar fare.
Kthimi i ligjit në Kuvend nuk sjell kurrfarë pasojash. E rëndësishme është që ligji të miratohet dhe të hyjë në fuqi.
Gjithashtu, sponsorizuesi duhet ta shfrytëzojë këtë kohë për të korrigjuar çdo të metë të mundshme ose kundërshtim me Kushtetutën, me qëllim që të mos vonohet hyrja në fuqi e ligjit”, kishte thënë Burjani.

Krasniqi: Një ligj i zakonshëm nuk mund të anashkalojë Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare
Profesori Kolë Krasniqi kishte vlerësuar se presidentja ka bazë kushtetuese për ta kthyer ligjin në Kuvend vetëm një herë, brenda tetë ditësh dhe me arsyetim, nëse çmon se janë cenuar interesat e Kosovës ose ekzistojnë dyshime për mospërputhje me Kushtetutën.
“Nenet 80 dhe 84, paragrafi 6, i japin presidentes të drejtën që një ligj të miratuar ta rikthejë për rishqyrtim vetëm një herë dhe me arsyetim, brenda tetë ditëve nga dita kur e pranon atë. Arsyeja juridike mund të jetë vlerësimi se ligji dëmton interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve. Dyshimet e argumentuara për papajtueshmëri me Kushtetutën mund ta mbështesin këtë vendim”, kishte deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, presidentja mund të kërkojë rishqyrtimin e ligjit dhe të iniciojë kontrollin kushtetues, por nuk ka kompetencë ta ndryshojë vetë tekstin e tij apo të japë vendimin përfundimtar për kushtetutshmërinë. Në rastin e ligjeve që kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara, këtë kompetencë e ka ekskluzivisht Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.
“Presidentja mund ta dërgojë ligjin për rishqyrtim dhe të kërkojë kontroll kushtetues në bazë të nenit 113, paragrafi 2, nënparagrafi 1. Megjithatë, ajo nuk mund ta ndryshojë vetë përmbajtjen e ligjit dhe as të vendosë përfundimisht nëse ai është antikushtetues.
Në këtë situatë duhet t’i kushtohet rëndësi nenit 162, paragrafi 3. Kërkesat kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë në juridiksionin ekskluziv të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Rikthimi i ligjit në Kuvend dhe shqyrtimi gjyqësor i kushtetutshmërisë janë dy procedura të ndryshme, të cilat kanë funksione dhe pasoja juridike të veçanta”, kishte theksuar ai.
Krasniqi kishte nënvizuar se çdo ndryshim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimet e Kosovës. Sipas tij, amendamentet nuk mund të prekin juridiksionin, pavarësinë e gjyqësorit apo të drejtat e palëve, ndërsa vlerësimi i kushtetutshmërisë duhet të bëhet për secilën dispozitë veçmas.
“Në parim, kjo është e mundur, por kompetenca për ndryshimin e ligjit nuk është e pakufizuar. Dhomat e Specializuara mbështeten në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në vitin 2014, në nenin 162 të Kushtetutës dhe në ligjin përkatës. Për këtë arsye, çdo ndryshim duhet të pajtohet me të gjithë këtë kuadër juridik. Një ligj i zakonshëm nuk mund të shërbejë për të anashkaluar garancitë kushtetuese ose detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ndryshimet që prekin juridiksionin, pavarësinë gjyqësore, proceset që janë në zhvillim, si dhe të drejtat e të akuzuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, kërkojnë vëmendje të veçantë. Përputhshmëria me Kushtetutën duhet të shqyrtohet dispozitë për dispozitë, mbi bazën e tekstit përfundimtar të miratuar.
Aktgjykimi i 26 nëntorit 2020 për amendamentet e propozuara të nenit 162 tregon rëndësinë e kontrollit kushtetues. Ai po ashtu sqaron se mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk përfundon automatikisht pas pesë vjetësh. Mandati vazhdon deri në njoftimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për përfundimin e tij, në pajtim me kuadrin kushtetues dhe marrëveshjen ndërkombëtare përkatëse”, kishte deklaruar profesori.
Sipas Krasniqit, kthimi i ligjit nuk e shfuqizon ligjin ekzistues, nuk sjell mbylljen e Dhomave të Specializuara dhe nuk i pezullon proceset gjyqësore. Ai shtoi se ligji mund t’i nënshtrohet edhe kontrollit kushtetues.
“Rikthimi i ligjit e hap procedurën e rishqyrtimit parlamentar dhe e pezullon përkohësisht përfundimin e procesit të shpalljes. Nëse Kuvendi e miraton përsëri me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, ligji konsiderohet i shpallur dhe presidentja nuk mund ta kthejë sërish. Nëse ajo nuk merr vendim për shpalljen ose kthimin brenda tetë ditëve nga pranimi, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa nënshkrimin e saj. Megjithatë, shpallja nuk nënkupton automatikisht hyrjen në fuqi.
Kthimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit bazë nuk e anulon ligjin ekzistues, nuk i mbyll Dhomat e Specializuara dhe nuk i ndalon automatikisht gjykimet. Kuvendit i jepet mundësia të rishikojë dhe, kur është e nevojshme, të korrigjojë dispozitat e kundërshtuara para se ato të hyjnë në fuqi.
Kur ka dyshime serioze për mospërputhje me Kushtetutën, presidentja duhet t’i paraqesë ato në mënyrë të qartë dhe përmes argumenteve konkrete juridike. Edhe nëse Kuvendi e miraton sërish të njëjtin ligj, kontrolli kushtetues mbetet i mundur. Në parim, shumica parlamentare nuk mund ta bëjë kushtetuese një dispozitë që bie në kundërshtim me Kushtetutën”, kishte përfunduar profesori për “Bota sot”.






