Këtë të martë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas kthimit nga Brazili ku u zgjodh zëvendëspresident i Internacionales Demokrate të Qendrës (CDI), zhvilloi një konferencë për shtyp në selinë blu.
Berisha informoi gazetarët mbi rezultatet e punimeve të asamblesë së përgjithshme të CDI-së, mbajtur në San Paolo, ku Shqipëria ishte një nga temat kryesore të diskutimit.
Ai e krahasoi situatën politike në vend, me atë në Venezuelë, duke e krahasuar kryeministrin Edi Rama me Nicolas Maduron dhe duke e akuzuar atë për lidhje me kartelet e drogës.
Ai theksoi se kjo organizatë, e cila grupon rreth 118 parti politike të qendrës së djathtë në mbarë botën dhe ka të federuara organizata si Partia Popullore Europiane (EPP), i kushtoi një vëmendje të veçantë gjendjes së demokracisë dhe shtetit ligjor.
“Sot jam para jush për të informuar shqiptarët lidhur me rezultatet e punimeve të asamblesë së përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës në San Paolo të Brazilit, punime në të cilat Shqipëria ishte një nga temat qendrore të organizatës politike të qendrës së djathtë më të madhe në botë, e cila grupon në gjirin e saj rreth 118 parti politike dhe ka të federuara në gjirin e saj organizata të tjera siç është EPP, etj.
Në këtë organizatë, kushtuar gjendjes së demokracisë dhe shtetit ligjor në botë, natyrisht një vend kryesor zinte Ukraina, përpjekjet e kombit ukrainas për t’u çliruar, për të çliruar territoret nga pushtuesi rus dhe dënimi i këtij agresioni nga ana e CDI, solidaritet i plotë me kombin ukrainas.
Venezuela, narkoshteti i rrezikshëm i Amerikës Latine, ishte çështje tjetër madhore dhe rezoluta e miratuar nga CDI bën thirrje për rikthimin, rivendosjen në detyrë të presidentit të zgjedhur të popullit venezuelas, i cili jeton në Spanjë për shkak të grabitjes së zgjedhjeve nga Maduro, ky diktator i narkoshtetit.
Por një vend qendror kishte edhe narkoshteti shqiptar. Presidenti Pastrano, Sekretari i Përgjithshëm Isturiz dhe një seri personalitetesh morën fjalën pas ekspozesë dhe miratimit të rezolutës për Shqipërinë, duke dënuar me forcën më të madhe, shpreh shqetësimin më të madh për zhvillimet dramatike në Shqipëri, konsolidimin e narkoshtetit në drejtimin e Edi Ramës. Lidhjet direkte të Edi Ramës me kartelet më të rrezikshme si të Sinaloas apo kartelet e tjera të Amerikës Latine”, tha Berisha.
