Prej tre ditësh, ura e fshatit Glinë në Bashkinë Dropull është dëmtuar rëndë për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe tejfryrjes së lumit Drino.
Dëmtimet serioze në kolonat e betonit e kanë bërë urën të paqëndrueshme, duke ndërprerë lidhjen e pesë fshatrave të Njësisë Administrative Dropull i Sipërm me zonën e poshtme.
Në terren ndodhen punonjës të emergjencave civile, të cilët po vlerësojnë shkallën e dëmeve, ndërsa banorët e Radatit, Glinës, Vrahogoranxit, Peshkëpisë së Sipërme dhe Peshkëpisë së Poshtme kanë mbetur të izoluar.
Banorët shprehen se dëmtimi i urës i ka penalizuar, pasi rruga provizore që po hap bashkia nuk plotëson asnjë nga parametrat e sigurisë dhe terreni paraqet mjaft vështirësi.
Situata mbetet e rënduar, pasi pjesa më e madhe e banorëve të këtyre fshatrave janë të moshuar dhe të varur nga një lidhje e sigurt rrugore për nevojat e tyre bazë.
