Lara Colturi fitoi vendin e dytë në Botërorin e skive, ministri Gonxhja: Shqipëria shkëlqeu në pistë me një performancë spektakolare

Përmes një postimi në Facebook, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka uruar skiatoren që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, për rezultatin e shkëlqyer në garën e Slalomit të Botërorit të Skive, të zhvilluar në pistën e Levit në Finlandë.

Gonxhja theksoi se Colturi dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke siguruar vendin e dytë dhe duke ndjekur nga shumë pranë kampionen amerikane Mikaela Shiffrin, e cila triumfoi për të nëntën herë në këtë pistë.

“Lara Colturi fiton vendin e dytë në Botërorin e Slalomit të Skive në Finlandë!!
Shqipëria shkëlqen në pistë me një performancë spektakolare, me një diferencë minimale ndaj kampiones Shiffrin, e cila fitoi për herë të nëntë slalomin në Levi të Finlandës!

E gjithë kjo në një ditë të veçantë për Larën, e cila sot feston edhe ditëlindjen e saj të 19-të!”, u shpreh ministri.

Lara Colturi arriti një rezultat fantastik në etapën e Kupës së Botës për ski në Levi të Finlandës. Skiatorja e cila përfaqëson Shqipërinë, festoi në mënyrën më të mirë të mundshme 19-vjetorin e saj, duke siguruar vendin e dytë në sllallomin për femra në këtë etapë të Kupës së Botës.

Ajo ka qenë e jashtëzakonshme në të dy raundet, duke siguruar kohën e dytë në zbritjen e parë dhe duke bërë të njëjtën gjë edhe në të dytën, për të mbajtur larg ndjekëset. E vetmja që e kaloi dhe mori fitoren e kësaj etape, ishte amerikania Mikaela Shifrin, e cila regjistroi kohë të jashtëzakonshme për të mbajtur pas Kolturin, që duket se në të ardhmen d të jetë sfidantja për titullin.