Altin Dumani flet për dosjen e Belinda Ballukut: Nuk ka të paprekshëm, të gjithë janë të barabartë para ligjit

Kreu i SPAK, Altin Dumani foli sot për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin për Tunelin e Llogarasë.

I pyetur nga moderatorja e emisionit “Trialog” se pse SPAK vonoi publikimin e njoftimit zyrtar për marrjen e Ballukut si e pandehur, kreu i SPAK tha se njoftimi u bë ditën që Belinda Balluku u paraqit në SPAK për t’iu komunikuar akuza.

“Njoftimet e mëparshme nuk mund të bëheshin edhe nga pikëpamja proceduriale. Duhet fillimisht të marrë në dijeni e pandehura për faktet penale që i atribuohen dhe pastaj SPAK reagoi me njoftimin zyrtar të publikuar në faqen tonë. Sa i takon informimit të publikut lidhur me çështje që janë në hetim ne jemi shumë të kujdesshëm, pasi qëllimi kryesor është të ruajmë integritetin e hetimit, të mos e dëmtojmë hetimin.

Dhe nga ana tjetër ne duhet të konsiderojmë edhe të drejtat e subjektit të akuzuar në proces. Dhe siç e thatë edhe ju, njoftimi u bë ditën që u paraqit në SPAK subjekti në fjalë dhe iu komunikua akuza. Njoftimet e mëparshme nuk mund të bëheshin edhe nga pikëpamja proceduriale. Duhet fillimisht të marrë në dijeni e pandehura për faktet penale që i atribuohen dhe pastaj SPAK reagoi me njoftimin zyrtar të publikuar në faqen tone”, tha Dumani.

Gjithashtu Dumani sqaroi edhe një herë se SPAK ka treguar ndër vite se nuk ka persona të paprkeshëm dhe se të gjithë janë përgjegjës para ligjit pavarësisht funksionit që ata mbajnë, qoftë ai funksion politik apo publik.

“Prokurorët e SPAK është e rëndësishme që ata të drejtojnë hetime të suksesshëm ndaj subjekteve që kanë në ndjekje. Nuk ka drejtësi selektive të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Dumani.


Shtuar 5.11.2025 22:20