Izraeli nuk do ta pranojë praninë e trupave turke në Gaza – thotë ministri i Jashtëm, Gideon Saar

Izraeli nuk do ta pranojë praninë e trupave turke në Gaza sipas një plani amerikan për t’i dhënë fund përgjithmonë luftës në territorin palestinez, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar.

Plani i presidentit të SHBA-së Donald Trump përfshin një forcë ndërkombëtare në Gaza për të ndihmuar në sigurimin e një armëpushimi të brishtë që filloi këtë muaj, duke ndaluar shkatërrimin dyvjeçar të territorit palestinez nga Izraeli.

Por mbetet e paqartë nëse shtetet arabe dhe të tjera do të jenë të gatshme të angazhojnë trupa në forcën ndërkombëtare.

“Vendet që duan ose janë të gatshme të dërgojnë forca të armatosura duhet të jenë të paktën të drejta ndaj Izraelit”, tha Saar në një konferencë shtypi në Budapest, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai ka folur për mundësinë që ato të jenë edhe nga Turqia.

“Turqia, e udhëhequr nga Erdogan, udhëhoqi një qasje armiqësore kundër Izraelit”, tha Saar, duke folur së bashku me homologun e tij hungarez Peter Szijjarto.

“Pra, nuk është e arsyeshme për ne të lejojmë forcat e tyre të armatosura të hyjnë në Rripin e Gazës dhe ne nuk do të pajtohemi me këtë dhe ua thamë miqve tanë amerikanë”, ka theksuar Saar.

Ndërsa administrata Trump ka përjashtuar dërgimin e ushtarëve amerikanë në Rripin e Gazës, ajo ka folur me Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe Azerbajxhanin për të kontribuar në forcën shumëkombëshe.


Shtuar 27.10.2025 15:50

Tags: ,