Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit në Këshillin e Europës dhe 35-vjetorit të krijimit të Komisionit të Venecias.
Teksa fliste në panelin kushtuar drejtësisë kushtetuese, Tabaku theksoi rëndësinë e ekuilibrit midis vullnetit politik dhe kontrollit juridik, duke e cilësuar këtë si “shtyllën themelore të çdo demokracie moderne”.
“Në çdo shtet modern, Kushtetuta është akti më i lartë juridik, dhe mbi këtë themel ngrihet një ekuilibër delikat midis vullnetit politik të shumicës dhe kontrollit juridik të Kushtetutës. Parlamenti është shprehja e sovranitetit të popullit; Gjykata Kushtetuese është garancia që ky sovranitet të ushtrohet brenda kufijve të ligjit dhe të drejtës.”. Ajo falënderoi Komisionin e Venecias për rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e demokracisë dhe ekuilibrave institucionalë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, duke e cilësuar si “partnerin më të çmuar të demokracisë shqiptare”.
Në fjalën e saj, Tabaku u ndal edhe te pasojat që solli mungesa për tre vite e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, duke e cilësuar këtë periudhë si krizë të demokracisë kushtetuese.
“Reforma në drejtësi, megjithëse u nis me qëllime të mira dhe me kontribut të rëndësishëm nga Partia Demokratike, e la vendin për tri vjet pa Gjykatë Kushtetuese. Në atë kohë Shqipëria ishte një shtet pa arbitër kushtetues. Çdo nismë që prekte balancat e pushtetit mbeti pa testin e kushtetutshmërisë. Dhe siç duket, maxhoranca u mësua pa të”.
Deputetja opozitare rikujtoi se Komisioni i Venecias, e ka cilësuar këtë situatë si “të paprecedentë në historinë e drejtësisë kushtetuese”, ndërsa shtoi se mungesa e Gjykatës Kushtetuese dëmtoi jo vetëm rendin e brendshëm, por edhe procesin e integrimit europian.
“Kur një vend pranon të jetojë pa Gjykatë Kushtetuese, ai rrezikon të jetojë pa demokraci. Një shtet pa Gjykatë Kushtetuese është si një orë pa busull — mund të ecë përkohësisht, por në drejtimin e gabuar”.
Në fund, Tabaku theksoi se mbrojtja e balancave kushtetuese dhe pavarësia e institucioneve janë thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke u bërë thirrje institucioneve të qëndrojnë mbi politikën e ditës dhe të mbrojnë frymën e Kushtetutës.