Rama flet për nxënësit e varur nga telefonat: Çerrat sot shkojnë në shkollë me një shok në xhep, do u japim një ndihmë konkrete

Këtë të premte, gjatë fjalës së tij me rastin e testit ndërkombëtar “Talis”, kryeministri Edi Rama, foli edhe për nxënësit dhe ‘epideminë’ e telefonave në shkolla, duke lënë të kuptohet se edhe ndaj tyre do merren masa konkrete, siç është nisma për t’i ndaluar në shkolla, me vendim të Ministrisë së Arsimit.

Duke bërë batuta, ai u përpoq të krahasonte kohët e brezit të vjetër kur ishin nxënës me ata të diteve te sotme, duke pranuar nëpërmjet etiketimit se “çerrat e sotëm kanë më shumë informacion”.

Epiteti i tij shkaktoi edhe të qeshura në sallë, teksa kreu i ekzekutivit theksoi se; “ky shok i ri në xhepat” e nxënësve i mban të lidhur pas shkolle në ato “budallallëqe” që u serviren në ekranet e celularëve.

“Krahasimi me çerrat sot është shumë i vështirë, sepse çerrat sot kanë informacion shumë më tepër, të pakontrolluar dhe të paorientuar. Dhe vijnë në shkollë me një shok në xhep dhe fshehin si të munden dhe sa të munden e sa dalin nga shkolla me atë shokun fillojnë bëjnë jetën tjetër. Na futen të gjithë bashkë nëpër shpia, ai shoku i vetë i thotë se është pa lidhje, por ata futen aty te ai ekrani me lloj-lloj budallenjsh që u tregojnë gjëra atyre çerrave”, tha Rama.

Dhe në fund të fjalës së tij, teksa pohoi se tashmë koha brezit të vjetër dhe atij vetë u kishte ndryshuar edhe ngjyrën e flokut, do i ndihmonte të rinjtë bëzit të ri me masa konkrete, së bashku me mësuesit.

“Por me ndihmën dhe punën tuaj do të jemi një ndihmë konkrete edhe për ata çerrra sot, ndaj edhe pak motivim sepse ne jemi edhe në mbështetjen tuaj”, përfundoi Rama.


Shtuar 10.10.2025 15:40