Dëmtohet Mbappe, “ylli” i Real Madrid humbet sfidën e “Gjelave” ndaj Azerbajxhanit?

Kylian Mbappé, ishte në qendër të vëmendjes në stërvitjen e kombëtares franceze në Clairefontaine, dy ditë para ndeshjes ndaj Azerbajxhanit.

Sulmuesi i Real Madridit, zhvilloi vetëm një pjesë të seancës përpara se të largohej me Ibrahima Konaté për një program individual, të përcaktuar nga stafi mjekësor pas dëmtimit në kyçin e këmbës.

Mbappé nuk u sforcua dhe u tregua i kujdesshëm, duke shmangur çdo rrezik të përsëritjes së dëmtimit.

Federata franceze, siguron se gjendja e tij nuk është shqetësuese, por prania e tij në fushë të premten mbetet e pasigurt.

Të enjten, Franca do të kryejë një seancë zyrtare stërvitore në “Parc des Princes”, ku do të vendoset përfundimisht nëse kapiteni i “Les Bleus” do të grumbullohet.

Përballë Azerbajxhanit, një kundërshtar modest, trajneri Deschamps nuk pritet të rrezikojë me yllin e skuadrës.

Mbappe vjen në këtë grumbullim me “Gjelat”në një formë vërtet të jashtëzakonshme, teksa këtë nisje sezoni me Real Madrid ka arritur të shënojë plotë 9 gola në 8 ndeshje në La Liga si dhe 5 gola në dy raundet e para të Champions League


Shtuar 9.10.2025 12:30