Këshilli i Ministrave merr vendimin/ Ndryshon ligjin për ruajtjen e drejtuesit të SPAK, GJKKO dhe BKH!

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh, mes të cilave edhe ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjykatësve të SPAK, GJKKO dhe BKH. Qeveria ka bërë ndryshimin në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Gjithashtu është vendosur që krerët e tre institucioneve të ruhen me truproja të dy niveleve bazë dhe të mesëm si dhe kjo siguri fizike të vijojë me 2 vite pas mbarimit të detyrës për GJKKO dhe BKH dhe për 3 vite për kreun e SPAK-ut.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.


Shtuar 8.10.2025 18:16