Ditën e sotme, rë një reagim të publikuar në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për situatën e pensionistëve në Shqipëri, duke e cilësuar skemën aktuale të pensioneve si “piramidale” dhe të dështuar.
Tabaku thekson se Tetori është muaji i pensionistëve, por për 750 mijë qytetarë që jetojnë me pensione të ulëta, ky muaj nuk sjell asnjë përmirësim real.
“Sot, një e treta e popullsisë shqiptare është në moshë pensioni — numri më i lartë në gjithë historinë e tranzicionit”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se rritja simbolike e pensioneve me vetëm 500 lekë në muaj, ose 15 lekë në ditë, është një tallje me dinjitetin e të moshuarve:
“Ç’mund të bëjë një pensionist me 15 lekë në ditë? As kafen e ditës nuk e paguan dot”.
Deputetja demokrate shtoi se, ndonëse qeveria e justifikon këtë me indeksimin sipas inflacionit, realiteti është se çmimet e shportës ushqimore janë rritur deri në 30%, duke lënë pensionistët në mëshirën e varfërisë.
“Sa herë që ka nevojë për votën e tyre, qeveria u jep një bonus. Por sa herë që duhet t’u rritë pensionet, dështon”, deklaroi Tabaku.
Ajo paralajmëroi se kjo situatë po e çon Shqipërinë drejt një krize demografike të thellë, ku popullsia plaket dhe të rinjtë largohen, ndërsa shteti dështojnë të garantojë siguri ekonomike për brezat në moshë të tretë.
Në fund të mesazhit të saj, Tabaku kërkoi ndryshimin e modelit ekonomik dhe të sistemit të pensioneve:
“Këtë sistem duhet ta ndryshojmë. Këtë model ekonomik duhet ta ndryshojmë”.