E rëndë në Korçë/ 14 vjeçarja hidhet nga pallati se e tallnin fëmijët e lagjes! Nëna: Unë isha në Polici se e kanë rrahur dhe herë të tjera

Një vajza 14 vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Korçës, pasi pak minuta më parë është hedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Sipas raportimeve paraprake, ajo bullizohej dhe dhunohej nga fëmijët e tjerë të lagjes nr.14.

Nëna e saj është shprehur për mediat se kjo është një ngjarje e përsëritur, pasi fëmijët ia dhunojnë e i tallin në lagje vetëm se janë nga fshati.

Madje, nëna e katër fëmijëve ka treguar se episodi më i fundit ka ndodhur mesditën e kësaj të shtune, kur një vajzë e lagjes ka dhunuar 14 vjeçaren e mitur dhe atë vet. Në momentin që gruaja ka qenë në Polici për rastin, vajza e mitur është hedhur nga pallati.

“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz.

I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdisin vajzat time. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste.

Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, është shprehur ajo.


Shtuar 4.10.2025 17:10