Federata Shqiptare e Futbollit, ka publikuar listën e Kombëtares, që është e vlefshme për ndeshjet e tetorit.
Silvinjo ka bërë zgjedhjet e tij, ndërsa përpara është ndeshja me Serbinë për kualifikueset e Botërorit 2026.
Më pas do të jetë edhe një takim miqësor ndaj Jordanisë.
Risia e madhe është ftesa e Klisman Cakes, i cili ftohet për herë të parë nga Silvinjo.
Ismajli është ftuar ndërkohë, edhe pse është me pikëpyetje. Mungesë që dihej është ajo e Marash Kumbullës.
LISTA
Njoftimi i FSHF-së:
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e muajit tetor, sfidën kualifikuese të Kupës së Botës kundër Serbisë dhe miqësoren ndaj Jordanisë.
Tekniku kuqezi, ka thërritur 25 lojtarë dhe risia e vetme është futbollisti i Shkëndijes së Tetovës, Klisman Cake.
Qendërmbrojtësi ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-21 dhe pas paraqitjeve të mira me Shkëndijën, ku arritën edhe kualifikimin historik në Conference League, ka bindur trajnerin Silvinjo për ta ftuar në Kombëtare.
Lista e plotë
Portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Klisman Cake
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani
Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku
Grumbullimi i Kombëtares nis të hënën, më 6 tetor, në Tiranë, ku kuqezinjtë do të përgatiten fillimisht për sfidën kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Serbisë, e cila do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Gradski stadion Dubočica” në Leskovac, në orën 20:45.
Ndeshja miqësore Shqipëri -Jordani, do të zhvillohet më 14 tetor, në “Air Albania”, në 19:00. Biletat për këtë ndeshje janë në shitje online në linkun Shqipëri – Jordani, si dhe në pikë fizike pranë stadiumit “Air Albania”.