Prokuroria i sekuestroi vilë luksoze, dyqane, parkime dhe makina/ Zbulohet pasuria marramendëse e noteres 35-vjeçare në Tiranë

Prokuroria e Tiranës, ka sekuestruar pasuri me vlerë maramendëse të një noterje në Tiranë. Bëhet fjalë për 35-vjeçaren Sanja Telhallari.

Telhallarit i është bllokuar vilë, apartamente, dyqane dhe poste parkimi dhe makina.

Ndërkohë, që dyshohet se të ardhurat janë vënë nga aktivitete të krimit.

Ka qenë prokurori i çështjes Ndini Tavani, ai që ka bërë sekuestron e pasurive që kapin shifrën e 3 milionë eurove.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, noterja ka ekspozuar jetën e saj luksoze.

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Prokuroria Tiranë sekuestron pasuritë e noteres S.T. Prona, dyqane, poste parkimi, vilë e makina të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e aktivitetit të saj

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T. me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.