Albin Kurti: Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA, për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë gjatë një bashkëbisedimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikë – ku po qëndron prej disa ditëve – se arsyeja e pezullimit të dialogut strategjik nga ëashingtoni ka të bëjë me sundimin e ligjit.

Ai gjatë një bashkëbisedimi, u pyet në lidhje me këtë, ndërsa dëgjohet duke thënë: “Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”.
Kurti pranoi në këtë bashkëbisedim se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë të mira. Raporti ndërmjet dy vendeve, ai tha se është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Për sa i përket diplomacisë, ai tha se ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti.


Shtuar 28.09.2025 17:14

Tags: ,