Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Tiranë shtetasen Elira Gogo., si dhe shtetasin Sh. B., për një skemë që ka sjellë ndërtim të paligjshëm dhe shmangie të taksave me miliona lekë dëm për shtetin.
Elira Gogo, akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim detyre”, ndërsa Sh. B. për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Mashtrim”, të kryera në kuadër të një aktiviteti të dyshuar kriminal që ka përfituar nga zyrtarizimi i dokumenteve të rreme dhe lejeve të manipuluara.
Hetimet, të nisura nga Prokuroria në bazë të denoncimeve të qytetarëve dhe të regjistruara në procedimin penal nr. 8699, zbuluan se në zonën e rrugës së ‘Bogdanëve’ në Tiranë, janë realizuar ndërtime me ndryshim destinacioni dhe me sipërfaqe ndërtimi që nuk përputhej me dokumentacionin zyrtar.
Në bazë të aktit të ekspertimit teknik, rezultoi se janë ndërtuar 2240 m² jashtë lejes, ndërsa sipas dokumenteve të paraqitura nga ASHK, kjo sipërfaqe figuron vetëm 80.5 m² – një manipulim që ndikoi drejtpërdrejt në uljen artificiale të taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Taksa e përllogaritur realisht për sipërfaqen e ndërtuar kap vlerën 24.998.400 lekë, shumë më e lartë sesa ajo e paguar mbi bazën e të dhënave të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, ish-drejtoresha Elira Gogo, ka përpiluar dhe firmosur dokumente pa kryer matje në terren, duke raportuar sipërfaqe të reduktuara në mënyrë të qëllimshme, çka ka sjellë përfitime të paligjshme për ndërtuesin dhe dëm të interesit publik.
Ajo akuzohet për “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” (neni 190/3 i Kodit Penal) dhe “Shpërdorim detyre” (neni 248).
Ndërkohë, shtetasi Sh. B., ka vijuar ndërtimin në shkelje të lejes, duke shtuar sipërfaqe për qëllime fitimi, dhe akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” (neni 199/a/3) dhe “Mashtrim” (neni 143/3).
Nga hetimet e kryera, rezulton e provuar se përmes manipulimit të dokumenteve, ndërtimi është zyrtarizuar në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që dëmi financiar ndaj shtetit është konkret dhe i matshëm.