Shpërthimi me tritol/ Kamerat në banesën e Xhelal Mziut ishin jashtë funksionit, hetuesit marrin pamjet e tjera filmike në zonë për identifikimin e autorit

Kamerat e banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, kanë qenë jashtë funksionit në momentin e shpërthimit të triolit.

Ndaj, grupi hetimor ka marrë pamje të tjera filmike në zonë për të arritur në gjurmë e autorit të vendosjes së sasisë së lëndës plasëse në banesën e ligjvënësit demokrat.

Në dëshminë e dhënë për policinë, Xhelal Mziu, ka deklaruar se nuk dyshon tek asnjë person.

Deputeti demokrat ndodhej në banesë me bashkëshorten e tij, kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dyshime se shpërthimi ka qenë një mesazh për Xhelal Mziun.

Kjo për shkak se sasia e tritolit ishte e vogël dhe se ishte vendosur në pjesën lart të murit rrethues të banesës së ligjvënësit demokrat.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:55 në rrugën “Arjan Sala” dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Kamëz/Informacion paraprak:

“Rreth orës 00:55, dyshohet se në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.


Shtuar 19.09.2025 11:16