Rama i urdhëroi për të shkarkuar Erion Veliajn, Këshilli Bashkiak i Tiranës merr vendimin

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste urdhëroi Këshillin Bashkiak të Tiranës për të nisur procedurat për të shkarkuar Erion Veliajn i cili ndodhet në qeli që prej shkurtit të këtij viti.

Socialistët e Këshillit Bashkiak të Tiranës mësohet se janë mbledhur sot në orën 17:00 ndërsa vendosën që për shkarkimin e Veliajt të rimblidhen ditën e marë, më 23 shtator.

Për të shkarkuar Erion Veliajn, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës do të duhen 31 vota nga 61 anëtarë që janë gjithsej, numra të cilët socialistët i kanë.

Kujtojmë që në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama iu kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak, që të shkarkonin Erion Veliaj, i cili prej datës 10 shkurt të këtij viti ndodhet nën masën e arrestit me burg të dhënë nga GJKKO.

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS, propozoi Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e kryeqytetit.

Ligji parashikon nisjen e proceduarave të shkarkimit të kryetarit nëse ky i fundit nuk paraqitet në detyrë 3 muaj pa ndërprerë dhe duhet të marrë votat e shumicës së këshilltarëve.

Më tej vendimmarrja i takon Këshillit të Ministrave që vendos shkarkimin. Por në rast se Erjon Veliaj do të ankimonte vendimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, vendimi do të pezullohej deri në një vendimmarrje të gjykatës. Në rast se jo, i hapet rruga presidentit Bajram Begaj të dekretojë zgjedhjet e parakohshme.


Shtuar 17.09.2025 20:26