Rama uron Fatos Nanon për 73-vjetorin e lindjes: Lideri historik i PS-së ktheu partinë me sy e zemër nga Europa

Kryeministri Edi Rama, ka uruar publikisht Fatos Nanon për 73-vjetorin e lindjes së tij, duke e quajtur atë lider të padiskutueshëm historik të Partisë Socialiste.

Në mesazhin e tij, Rama vlerëson rolin e Nanos në transformimin e PS-së në një forcë pro-europiane.

Ai shpreh respekt dhe mirënjohje për kontributin e tij në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë. Në këtë ditë të veçantë, Rama i uroi Nanos jetë të gjatë dhe ditëlindje të gëzuar.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Në këtë ditë të shënuar të lindjes së tij – teksa pas hapjes së 4 kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, po udhëtoj për të mbajtur një leksion në Kolegjin legjendar të Europës në Bruzh – më erdhi krejt natyrshëm dëshira që t’i uroj publikisht Fatos Nanos, liderit historik të Partisë Socialiste, një ditëlindje të gëzuar dhe jetë të gjatë 100 vjet❤️

Sot kur Shqipëria e sheh nga afër majën ku duhet të ngjitet pas një rrugëtimi të stërgjatë, dua të them se si pjesë e këtij rrugëtimi, Fatosi ka meritën e madhe që e ktheu partinë tonë në një forcë me sy e me zemër nga Europa dhe sikur ta mendosh për një moment, atë fazë të parë të historisë së Partisë Socialiste, në Shqipërinë e zhytur në vorbullën e rrumpallës demokratikase, pa Fatos Nanon në krye të saj, mendja të thotë se rruga jonë mund të kishte qenë shumë më gjatë🤷🏻‍♂️

Respekt, përqafime dhe gëzuar i dashur Kryetar🌹🤗🎂


Shtuar 16.09.2025 12:06