Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së Sali Berisha nuk kurseu akuzat e drejtpërdrejta ndaj qeverisë Rama, duke e cilësuar Kuvendin si “narko-parlament” të kontrolluar nga grupet kriminale dhe kartelët e drogës.
Ai theksoi se hyrja e opozitës në sallë nuk është një vendim i lavdishëm, por një domosdoshmëri për të denoncuar hapur kapjen e shtetit nga krimi.
Duke e portretizuar Taulant Ballën si “ushtar të botës së krimit” dhe Edi Ramën si simbol të pushtetit permanent që shfrytëzon opozitën si stoli, Berisha paralajmëroi se demokracia shqiptare është më e rrezikuar se kurrë.
Berisha: Për të shmangur burokracinë, shmanga një shtrëngim duarsh me të gjithë ju, që do e bëja me gjithë kënaqësinë.
Sot, ne jemi para një momenti shumë të rëndësishëm, konstituimit të grupit parlamentar dhe përcaktimit të programit, apo strategjisë tonë në jetën parlamentare. Duhet të jemi fare i hapur me demokratët dhe demokratet, se vendimi i kryesisë për të hyrë në parlament, nuk është një vendim i lavdishëm dhe se jo të paktë janë ata demokrate e demokratë që kanë shkrirë dhe shkrijnë të gjithë energjitë e tyre në mbështetjen tonë, të cilët me mesazhe dhe në mënyra të ndryshme kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e kryesisë.
Për mua, nuk kishte asgjë të papritur sepse të hysh në një narko-parlament, ku kartelet e drogës janë më të përfaqësuara se kurrë, ku grupin e partisë së krimit e kryeson njeriu që me dokumente ka porositur vrasje. E kryeson njeriu që me dokumente zyrtare ka liruar terroristë siç janë ata që i vendosin tritolin Lulzim Kullës. Njeriu që ka liruar kriminelë nga komisariatet. Njeriu që figuron në dokumente zyrtare se është implikuar në dhjetëra afera korruptive të Klement Xhaferit. Një ushtar i vërtetë i Suel Çelës.
Njeriu që me Marion, vëllain e Suel Çelës, përcakton sipas dokumenteve zyrtare, numrin e votave që do marrë, me kusht që t’i arrestojë kundërshtarët politikë. Dhe i arreston. Ky është Taulant Balla. Imagjinoni se përkarshi kujt ulemi ne.
Nuk është problemi Sara Mile, Arkend Balla, Drazhi, ata janë lule në krahasim me çfarë janë Balla, Xhafaj dhe grupi tjetër kriminal.
Dhe unë mirëkuptoj, sepse është e vërtetë që praninë tonë Edi Rama e shfrytëzon, njeriu që nxori sot teorinë e pushtetit të vazhdueshëm, e pushtetit permanent, praninë tonë e shfrytëzon si stoli. Kjo, të mos kemi iluzion. Sepse sot, ai në mënyrë të hapur, para shqiptarëve dhe botës, tregoi se ç’mendon ai për rotacionin.Se ro tacioni është diçka që nuk ka lidhje me të.