Një tjetër grevë masive e taksistëve ka paralizuar kryeqytetin grek, Athinën, duke vështirësuar qarkullimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Sindikatat e taksive shpallën një pezullim 48-orësh të punës në shenjë proteste ndaj reformave të qeverisë, të cilat, sipas tyre, rrezikojnë të zhysin mijëra drejtues profesionistë në krizë.
Në qendër të pakënaqësive është një projektligj i ri i Ministrisë së Transportit që parashikon hapjen e tregut për kompani të mëdha taksish dhe përfshirjen e kategorisë së mini-busëve.
Shoferët paralajmërojnë se kjo do t’u marrë bukën e gojës operatorëve të vegjël dhe do t’u hapë rrugë gjigantëve shumëkombësh.
Gjithashtu, ata kundërshtojnë rritjen e taksave dhe klauzolat fiskale të cilat i shohin si të dizajnuara për të favorizuar konkurrencën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, qeveria mbron iniciativën duke argumentuar se sektori aktual i taksive nuk arrin të përmbushë kërkesën, sidomos në zonat turistike ku janë evidentuar abuzime, çmime të fryra dhe monopole.
“Edhe ky sektor duhet të deklarojë të ardhurat si çdo biznes tjetër,” deklaroi Ministria e Transportit, duke shtuar se modernizimi i shërbimit është i domosdoshëm.
Në opinionin publik, perceptimi për taksistët është i përzier. Raste të shumta mashtrimesh me çmimet dhe sjellje abuzive kanë dëmtuar imazhin e profesionit, ndërkohë që sondazhet e fundit tregojnë mbështetje të gjerë për masa drastike që synojnë rregullimin e këtij tregu.
Megjithatë, për sindikatat, kjo nuk justifikon politikat që rrezikojnë ekzistencën e mijëra familjeve.
Me verën që sapo ka përfunduar dhe industrinë turistike ende aktive, përplasja mes qeverisë dhe taksistëve duket se do të mbetet një sfidë e hapur për transportin publik dhe ekonominë greke.