Fundi i një hakmarrjeje personale

Nga; Andi Bushati

Rreth shtatë vite më parë, pikërisht në të njëjtat mjedise ku sot u turrën forcat e policisë, për të mbyllur televizionin News 24, dhe për të penguar gazetarët të shkonin në punë, Edi Rama hyri si i ftuar i Ylli Rakipit. Ishte koha e kanabizimit të vendit dhe e shpërthimit të skandaleve të para korruptive, që kishin filluar ta gërvishtnin portretin e prijësit të 1 milionë shuplakave.

Me zakonin e tij të përhershëm, për të mohuar realitetin duke sulmuar ata që e vizatojnë atë, ai kishte hedhur në treg termin “kazan”, për të përshkruar ato media dhe gazetarë që nuk i shkonin pas fijes.

Në stilin e tij karakteristik, Rakipi e pyeti nëse edhe pronarët e mediave i konsideronte si të tillë. Shefi i qeverisë përdridhej dhe shmangej për të thënë nëse Sandri apo Vjollca duheshin quajtur kazan.

Radha i erdhi emrit të Irfan Hysenbelliut, pronarit të News 24, Panorama dhe Balkan Web. “Faji i vetëm i këtyre pronarëve është se mbajnë në punë gazetarë si ju” i’u përgjigj ai Rakipit, duke bërë një zgjedhje të qartë mes tij dhe Fanes.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për një kohë të gjatë që pas ndryshimit të fundit demokratik të pushtetit, mediat e Hysenbelliut e kishin marrë kthesën nga mbështetja për Berishën, në atë për zotin e ri të vendit.

Madje ato kishin përkrahur edhe aksionin e mbylljes së Agon Channel, që ishte një riprodhim mot a mot i skenave të tanishme.

Për këtë shërbim pronari i televizionit dhe mediave të shkruara kishte marrë në këmbim privilegje që nuk mund ti gëzonin të gjithë. Debitor i madh në disa prej bankave të rëndësishme të vendit, flitej se ai riskonte falimentimin.

Me porosi të shefit, disa ministra të qeverisë u angazhuan pranë bankave duke ushtruar fuqinë që jep pushteti për negocimin e peshës së kredive të tij. Lehtësimi për Irfan Hysenbelliun shkoi në miliona euro.

Por ky nuk qe privilegji i vetëm. Me firmën e vet, Edi Rama, lëshoi në plazhin e Golemit, njësoj siç pati bërë për kështjellën e Aleksandër Frangajt, leje abuzive për një hotel të ri tek ish Mak Albania.

Projekti i Prestige Resort, me bekimin e kryeministrit parashikonte zaptimin e rërës së plazhit, ndalimin e qytatarëve të kalonin lirisht përmes saj dhe prishjen e një kondicioni të ruajtur që nga kryeministrat Meksi, Nano, Meta e Berisha që betoni të mos ngrihej mbi nivelin e lartësisë së pishave karakteristike të zonës.

Flitet për të njëjtin vend ku, fotot e bëra publike demostrojnë një orgji ushqimoro-alkoolike mes Edi Ramës dhe Fanes.

Ajo drekë, imazhet e së cilës janë botuar me qindra herë, zhvillohej në të njëjtin vend, ku më pas u pretendua se ishin shkelur kondicionet e lejes së ndërtimit dhe ishin shmangur taksat.

Por, në kohën e dashurisë me botuesin kryeministrit nuk mund ti interesonin detaje të tilla. Ato ishin krejt të pa rëndësishme për sa kohë mediat i shërbenin qeverisë.

Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë ngjau mes tyre që nga koha e lehtësimit të kredive, lejes në Golem dhe fotos së famshme e deri kur ruspat ia behën tek hoteli luksoz, Prestige Resort, për të hequr mbeturinat e shpërthimit me dinamit, gjoja në emër të aksionit për çlirimin e hapsirave publike (çfarë ironie!).

Të vërtetën e dinë vetëm ata të dy, ndonëse disa hamendësojnë se hakmarrja e kryeministrit u nxit nga mbështetja pa leje që mediat e Fokus Grup i jepnin disa prej pjestarëve të skuadrës së tij, në dëm të rivalëve të tyre.

Të tjerë, që pretendojnë se dinë më shumë, flasin për inatin proverbial të Zeusit që në një përplasje telefonike me Hysenbelliun ka lëshuar fjalën “do të shkrij”, pasi ky i fundit me aventurizmin proverbial për të vënë baste me risk, kishte vendosur të mbështeste Lulzim Bashën në zgjedhjet e vitin 2021.

Asnjë nga këto versione nuk është i konfirmuar, me përjashtim të faktit se që nga ajo kohë i gjithë shteti i është vërsulur Irfan Hysenbelliut si një “armiku të popullit”.

Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi.

Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një një diktator liberal, ngjarja nuk do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.

Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fali me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t`u shndërruar në altoporlantë të qeverisë, drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit, nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.

Po ashtu sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë, si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si kazan.


Shtuar 9.08.2025 14:14