G Bani përjashtohet nga festivali në Drenas pas deklaratës së tij në TikTok

Deklarata e fundit e G Bani në rrjetin social TikTok ka sjellë pasoja të menjëhershme për të. Në një video të postuar së fundmi, artisti u shpreh se “po të dija që janë kaq racistë ndaj meje, nuk do të më ndjente as në ‘99-n”, fjalë që kanë nxitur reagime të forta në publik dhe sidomos nga organizatorët e festivalit “Muaji i Mërgatës” në Drenas.

Pas kësaj deklarate, organizatorët kanë bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se performanca e planifikuar e G Banit për mbrëmjen e nesërme është anuluar. Ata e konsideruan gjuhën e përdorur nga artisti si “të papranueshme, fyese dhe pa etikë”, duke theksuar se nuk ka vend për qëndrime të tilla në një ngjarje që synon bashkimin dhe respektin mes shqiptarëve kudo që ndodhen.

Në reagimin e tyre, organizatorët nënvizuan se “Muaji i Mërgatës” është një festë që promovon vlerat e respektit, dashurisë për kulturën dhe përfshirjes, dhe çdo akt që bie ndesh me këto parime nuk tolerohet.

Vetë G Bani ka reaguar pas anulimit të koncertit duke sqaruar se komentet e tij ishin të drejtuara vetëm ndaj ndjekësve që e kishin ofenduar personalisht, dhe jo ndaj qytetarëve të Kosovës në tërësi. Megjithatë, për organizatorët e festivalit, kjo deklaratë nuk mjaftoi për të zbutur situatën.


Shtuar 1.08.2025 18:03