Vihen nën kontroll zjarret në fshatin Shalës, aktualisht vetëm një vatër aktive në Konispol

Zjarri që ra mbrëmjen e së dielës në lagjen “Barç” të fshatit Shalës, është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes intensive të forcave zjarrfikëse gjatë gjithë natës.

Shërbimi zjarrfikës i Konispolit ka qenë në terren pa ndërprerje, duke punuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa në ndihmë ka ardhur edhe zjarrfikësja e bashkisë Finiq, me një ekip prej 8 efektivësh.

Sipas informacioneve të fundit, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht në zonë është aktive vetëm një vatër e vogël në vendin e quajtur Kokotraf, në njësinë administrative Markat, bashkia Konispol.

Ndërkohë nga zjarrë në zonën e bregut është kjo situatë: aktualisht është 1 vatër zjarri në Shënvasil, tre vatra zjarri në Lukovë dhe 1 vatër në Sasaj, por pa rrezik për momentin, ndërsa mbahen në monitorim.

Sipas administratorit të Lukovës, Adi Boçi, janë në pritje të helikopterit.

Gjatë gjithë natës, kanë qenë në ndihmë të shuarjes së zjarrit sherbimet zjarrfikëse të Himarës dhe të Sarandës si edhe sherbimet e ushtrisë.

Në zonën e Kalasës, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë situata sot është më e qetë nga një ditë më parë.

Aktualisht, ka zjarr vetëm në majë të malit mbi Kalasë. Nga zjarri i ditës së djeshme është djegur vetëm një shtëpi e braktisur.

Në terren për shuarjen e zjarrit kanë qenë gjatë gjithë natës banorët e zonës, sherbimi zjarrfikës i Delvinës, punonjës të MZSH dhe administrata e bashkisë.


Shtuar 28.07.2025 08:58