Vijojnë të jenë aktive disa vatra zjarri në zonën e Delvinës, të cilat kanë përfshirë fshatrat Kalasë, Tatzat, Senicë, Vergo, Kopaçëz dhe Palavli, në njësinë administrative Vergo.
Zjarri është përhapur edhe në kodrën përballë fshatit Palavli dhe në zonën sipër baxhos në Kopaçez, prej nga dyshohet se ka avancuar në malin mbi Borsh.
Për shkak të situatës së rrezikshme, mbi 2 mijë banorë nga gjashtë fshatra janë evakuuar gjatë ditës së djeshme.
Bilanci paraprak flet për 11 banesa të djegura dhe dëme të mëdha në bujqësi, pemëtari, ullishte dhe blegtori.
Mes objekteve të përfshira nga flakët është edhe kisha “Shën Dhimitri” në fshatin Senicë. Tre persona kanë marrë djegie dhe janë trajtuar për ndihmë mjekësore.
Zjarret mbeten jashtë kontrollit në disa zona, ndërsa përmasat e dëmeve janë ende në vlerësim.