Hetimet për inceneratorin e Elbasanit/ Policia arreston vëllain e deputetit të PS: Iu gjet municion luftarak (EMRI)

Këtë të hënë, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit të Elbasanit, policia ka konfirmuar arrestimin e vëllait të deputetit socialist Saimir Hasalla, Denis Hasalla.

Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, mes tyre edhe në atë të Hasallës, ku është zbuluar një sasi municioni të paautorizuar.

Denis Hasalla, mban aktualisht funksionin e drejtorit të Kabinetit në Bashkinë e Peqinit.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar lidhjen e mundshme të tij, me hetimin për inceneratorin apo ndonjë vepër tjetër penale.

Njoftimi i policisë:

Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:

-B. Ç., 36-vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;

-D. H., 35-vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.