Kjo e shtunë e 19 Korrikut ka nisur me “luftë” për shuarjen e flakëve të zjarrit në malin e Dukatit.
Ndërkohë gjatë orëve të pasdites, flakët kanë marrë përmasa më të mëdha, ndërsa për shkak të erës së fortë po përhapen drejt majës së malit.
Nëse era do të vijojë të fryjë nga verilindja, rrezikohet edhe Parku Kombëtar i Llogarasë.
Një numër i madh pishash, bredhash dhe lloje të tjera pemësh janë shkrumbuar nga zjarri. 20 forca të zjarrfikësve ndodhen në mal, ndërkohë që kërkohet ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve. Për shkak të terrenit të vështirë, është e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse, ndërkohë që po punohet me lopata dhe degë peme për të izoluar flakët.