Presidenti Begaj pret Admiralin e Komandës së Transformimit të NATO-s, thekson angazhimin e Shqipërisë për sigurinë dhe modernizimin e Aleancës

Këtë të enjte, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim zyrtar Admiralin Pierre Vandier, Komandantin e Komandës Supreme të NATO-s për Transformimin.

Gjatë takimit, Presidenti e përgëzoi Admiralin Vandier për lidershipin, vizionin dhe profesionalizmin në drejtimin e një prej strukturave më të rëndësishme të Aleancës.

Takimi vjen pak më shumë se një muaj pas Samitit të NATO-s në Hagë, të cilin kreu i shtetit e vlerësoi si historik për të ardhmen e Aleancës dhe si një garanci për forcimin e unitetit dhe kohezionit ndërmjet vendeve anëtare.

Presidenti Begaj, rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035, si dhe përkushtimin për t’i ofruar NATO-s kapacitetet e nevojshme që i nevojiten në përballjen me sfidat e kohës.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi edhe rolin e pazëvendësueshëm të misioneve të NATO-s në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, duke theksuar se prania e Aleancës në rajon, është një garanci për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Në përfundim të takimit, Presidenti nënvizoi rëndësinë e Komandës për Transformimin si një strukturë kyçe për modernizimin e NATO-s, duke theksuar nevojën për një Aleancë të përgatitur për të përballuar kërcënimet e reja dhe sfidat strategjike të së ardhmes.

 


Shtuar 17.07.2025 13:47