Zgjedhjet e 11 Majit/ Berisha: DHL ndryshoi kontratën për transportin e zarfeve me urdhër të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama, për ndërhyrje të paligjshme dhe shtetëzim të procesit zgjedhor, duke publikuar dokumente dhe të dhëna që provojnë manipulimin masiv të votave të emigrantëve, veçanërisht në Greqi.

Sipas Berishës, kompania ndërkombëtare e postës DHL, nën presionin e drejtpërdrejtë të Ramës, ka ndryshuar në mënyrë të paligjshme kontratën për transportin e zarfeve, duke përfshirë nënkontraktorë të padeklaruar, ç`ka ka çuar në manipulimin e dërgesave dhe falsifikimin e dokumentacionit zyrtar.

Ai tha se pati një rritje të papritur dhe të pazakontë të numrit të zarfeve nga Greqia, menjëherë pas një mesazhi publik të Ramës më 3 maj, që ishte një sinjal politik për aktivizimin e strukturave të PS.

Pjesë nga deklarata e Berishës:

Sot për të tretën herë i rikthehemi farsës, manipulimit, shtetëzimit të votës së diasporës nga Edi Rama.
Ju do shihni këtu se DHL e ndryshoi kontratën në kundërshtim me atë që kishte firmosur me urdhër të Edi Ramës.
Pra, ishte Edi rama vetë personalisht që ka urdhëruar DHL të ndryshojë, të marrë nënkontraktor, gjë të cilën ne nuk e pranonim kurrë.

Tani urdhëroni: Rama përgjegjës i farsës zgjedhore me votën e diasporës.
Me 3 maj, Edi Rama u bën thirrje emigrantëve, ‘në Greqi u në një mishmash me ndarjen e zarfeve, shkoni dhe merrini vetë’.
Menjëherë pas këtij mesazhi të Ramës u rrit ndjeshëm numri i zarfeve të ardhura nga Greqia, ndërkohë që vendet e tjera mbajtën mesataren ditore.

Numri i zarfeve të ardhura nga Greqia, mesatarja ditore për periudhën 20 prill- 5 maj ka qenë 1.133 zarfe.
Për periudhën 6-9 maj, 5500 zarfe.
Për datën 7 maj, 6967 zarfe.
Për datën 8 maj, 6967 zarfe.
Për datën 9 maj, 3188 zarfe.
Për datën 10 maj, 5670 zarfe.
Për datën 11 maj, 4415 zarfe.

Pra, thirrja e tij bëhet realitet, prishet çdo lloj lidhje me postën, e tëra shtrohet në rrugën e partisë, me mjetet e partisë.
Me datën 5 maj, për shkak të pamundësisë së kompanisë për të dërguar me avion dërgesën tuaj, data përfundimtare për të kthyer zarfet tuaja për të cilat shërbimi postar, DHL, Fedex, pra shkëputuni dhe shkoni tek nënkontraktorët, u thotë, se kështu nuk merret vesh se çfarë bëhet.

Ka publikuar vetë Express Service në Athinë pikat e nënkontraktorit.
Me datën 10 maj, DHL ka qenë gabim. Janë qindra e qindra zarfe që figurojnë që janë dorëzuar me datë 10 maj.
Janë falsifikuar firmat apo është falsifikuar dokumentacioni i DHL?
Kush janë përgjegjësit?

Pse DHL refuzon të dorëzojë informacionin për kthimin e zarfeve edhe pas disa kërkesave nga PD?
Nuk i jep sepse ato janë mbushur në zyrat e PS.


Shtuar 14.07.2025 14:03