Aksioni i shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth/ Reagon Jorida Tabaku: Paketa e Maleve, “kali i Trojës” për Veriun (VIDEO)

Përmes një videomesazhi në rrjete soaciale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas prishjes së disa ndërtimeve në zonën turistike të Thethit, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e kësaj ndërhyrjeje në komunitetin lokal dhe sezonin turistik.

Sipas saj, situata është e lidhur me zbatimin e ligjit të njohur si “Paketa e Maleve”, të cilin ajo e cilëson si të diskutueshëm në mënyrën sesi aplikohet në terren.

“Paketa e Maleve nuk po sjell zgjidhje, por po krijon pasiguri për pronat në veri”, shkruan Tabaku.

Gjithashtu, Tabaku shpreh shqetësimin se ligji po përdoret për të favorizuar subjekte të caktuara, në emër të investimeve strategjike.

Mes të tjerash, deputetja thekson se ndërhyrja për prishjen e ndërtimeve ndodh në një periudhë të ndjeshme për turizmin dhe mund të ketë ndikim në imazhin e vendit.

Ajo nënvizon se ndërtimet në fjalë, kanë qenë të pranishme për një kohë të gjatë dhe kërkon sqarime për mënyrën se si po veprohet nga autoritetet.

“Është e nevojshme transparencë e plotë për projektet që po zhvillohen në zonat malore dhe garantimi i një trajtimi të barabartë për të gjithë qytetarët”, përfundon Tabaku.

 


Shtuar 12.07.2025 10:05