Seanca e parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit (GJKKO) në çështjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë, është shtyrë për në datën 21 korrik.
Ata akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në seancën e sotme, Berisha nuk ishte i pranishëm. Të vetmit të pranishëm ishin Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Prokuroria u përfaqësua nga prokurori Arben Kraja, ndërkohë që prokurorja Enkelejda Millonai mungoi për arsye shëndetësore.
Gjatë zhvillimit të seancës, gjyqtarja Elsa Ulliri, iu drejtua Malltezit me pyetjen nëse Sali Berisha kishte dijeni për fletë-thirrjen për seancën. Malltezi u përgjigj se nuk kishte informacion në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, prokurori Kraja deklaroi se Berisha nuk është njoftuar zyrtarisht për seancën. Ai shtoi se shoqëria “Homeplan” – e përfshirë në dosje – aktualisht nuk përfaqësohet nga asnjë avokat, duke kërkuar ndërprerjen e seancës për shkak të mungesës së përfaqësimit ligjor. Seanca e radhës është caktuar për më 21 korrik 2025.