Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar nëntë vatra zjarri në pesë bashki të vendit: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në gjashtë raste zjarret kanë përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte. Ndërkohë, në dy raste, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 në Kavajë dhe një tjetër në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale.
Në rastin e Ishull Shëngjinit, si pasojë e një rrjedhjeje gazi është lënduar një grua, e cila është transportuar menjëherë në Spitalin e Traumës.
Në një tjetër incident, një automjet privat është përfshirë nga flakët, por fatmirësisht pa pasoja për jetën e njerëzve, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, pritet një nivel rreziku “i lartë” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet rrezik “i moderuar”.