Sëmundja e murtajës së bagëtive, ka rikthyer alarmin në sektorin veterinar dhe blegtoral në vend. Me përhapjen e shpejtë të rasteve dhe shtimin e vatrave të infektimit, autoritetet po punojnë në gatishmëri të lartë për të parandaluar përhapjen në zona të tjera.
Qarku i Elbasanit, megjithëse aktualisht i pastër nga raste të konfirmuara, konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për shkak të afërsisë me zonat e prekura si Skrapari dhe Devolli.
“Jemi në gatishmëri të plotë. Situata është emergjente dhe kërkon masa të menjëhershme parandaluese”, u shpreh Fatmir Ozuni, Shefi i Shërbimit Veterinar në Elbasan.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Veterinar, ka identifikuar tre vatra të reja, përkatësisht dy në Skrapar dhe një në Devoll.
Pavarësisht se Elbasani nuk ka ende vatra aktive, rreziku është real dhe kërkon ndërhyrje të shpejtë për kontrollin e qarkullimit të kafshëve dhe monitorimin e fermave të afërta.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i vatrave me murtajë ka arritur në 10, ndërsa numri i fermave të prekura është 12. Deri më tani, për të frenuar përhapjen e virusit, janë asgjësuar rreth 1200 krerë bagëti të imta, kryesisht dele dhe dhi.
“Nëse situata vihet nën kontroll përpara muajit shtator, do të ishte një lajm shumë i mirë për blegtorinë shqiptare”, tha z. Ozuni, duke shtuar se temperaturat e larta ndihmojnë në frenimin e virusit, pasi ai nuk reziston gjatë në ekspozim me diellin.
Sëmundja, e cila ka pasoja të rënda në sektorin e blegtorisë, është tashmë e pranishme në një sërë qarqesh në vend: Shkodër, Dibër, Bulqizë, Tiranë, Korçë, Devoll, Skrapar, Lushnje dhe Gjirokastër, duke krijuar një hartë të gjerë përhapjeje dhe një nevojë urgjente për masa të shtuara kontrolli.
Autoritetet veterinare, u bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe blegtorëve që të bashkëpunojnë ngushtësisht me shërbimet përkatëse, të raportojnë çdo rast të dyshuar dhe të ndjekin me përpikmëri protokollet e dezinfektimit dhe karantinimit.