Aksi Rrogozhinë-Bradashesh me 65 tabela rrugore, Qato shpjegon pse ka ndodhur kjo

Qarkullimi rrugor në Shqipëri duket se ka një problem të përhershëm gjatë vitit, të shtuar gjatë sezonit veror me bllokimin e rrugëve duke e bërë të vështirë lëvizjen në një pjesë të konsiderueshme aksesh. Nisur nga një eksperiment i emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku stafi përshkoi një segment 38 km, nga Rrogozhina deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit ku numëroi plot 65 tabela të ndryshimit të shpejtësisë duke variuar nga 10-80 km/h.

Gjithashtu, gjatë ditës së diel, në aksin e Pajovës, gazetari Blendi Fevziu konstatoi dhe një radhë automjetesh mbi 4 km të gjatë për shkak të policave të vendosura në rrugë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Altin Qato, i ftuar për një intervistë në emision thotë se ndryshimi i tabelave ndodh për shkak të pranisë së lartë të aktivitetit në rrugët interurbane dytësore.

Altin Qato: Ju i referoheni rrugëve interurbane dytësore të cilat kanë shumë ndërhyrje në rrugë, pra kufizohen rrugët nga biznese, qendra banimi, aktivitete të ndryshme, shkolla. Nisur nga kjo ndërhyrje shumë e madhe që bëhet në rrugë, nga analiza e riskut që bën Instituti për Sigurinë Rrugore, përcaktohet edhe klasifikimi i sinjalistikës. Pra, kemi shumë ndërhyrje në rrugë. Në rastin konkret, të Pajovës, është një zonë me risk, ne e kemi përcaktuar njollë të zezë pasi kemi pasur një sërë aksidentesh rrugore, edhe me vdekje, kemi pasur vitin e kaluar dy aksidente pikërisht në atë segment sepse dendësia e popullsisë, bizneseve, aktiviteteve është shumë e madhe në të dy krahët e rrugës dhe duke bërë ndërprerje në hyrje-dalje, plus edhe këmbësorët që rëndom kalojnë…

Blendi Fevziu: Dakord, por eedhe avionët bien, ne nuk mund të ndalojmë ndërtimin e aeroporteve dhe qarkullimin ajror pse ka aksidente.

Altin Qato: Në bazë të kësaj analize vendoset sa është shpejtësia e lejuar, plus edhe ngadalësuesi i shpejtësisë në Kodin Rrugor përcaktohet.

Blendi Fevziu: Por jo në rrugë interurbane.

Altin Qato: Interurbane dytësore e ka deri në 50 km.

I pyetur për segmentet ku shpejtësia e lejuar është deri në 20 km/h, ai ritheksoi sërish të njëjtën gjë duke shtuar se është e rëndësishme siguria e qytetarit.

Altin Qato: Mund të jenë segmente shumë të veçanta ku ka ndërhyrje në rrugë dytësore, dalje nga rrugët, kalim këmbësorësh, por janë akse të veçanta që ne i quajmë rrugë interurbane dytësore të cilat kanë ndërprerje të madhe. Në atë aks rrugor janë mbi 60 ndërprerje që normalisht kur ka ndërprerje kur hyn nga një rrugë dytësore në një rrugë kryesore, normalisht që do të ketë një ulje të shpejtësisë. Kur kufizohet rruga në të dy krahët me banesa, biznese, shkolla, normalisht që do të kemi një ulje të kufizimit sepse gjithmonë prevalon siguria e qytetarit dhe kjo bëhet nga një analizë e mirëfilltë nga një institut i specializuar dhe gjithë parametrat që përfshihen në aksin rrugor bëjnë përcaktimin.


Shtuar 18.06.2025 23:34