Mbi 433 mijë makina me xhama të errësuar të certifikuar në Shqipëri që nga viti 2019

Që nga fillimi i vitit 2019, kur u miratuan standardet për errësimin e xhamave të automjeteve, e deri në prill të vitit 2024, janë regjistruar gjithsej 433,291 miratime dhe certifikime për xhama të errësuar.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) certifikimet janë kryer në përputhje me kriteret ligjore dhe teknike, me materiale të homologuara nga prodhuesi, të instaluara nga servise të licencuara dhe të pajisura me dokumentacion që vërteton origjinën, faturimin dhe garancinë.

Errësimi i xhamave nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por ofron disa përfitime të drejtpërdrejta për drejtuesit e mjeteve.

Ai siguron mbrojtje nga rrezet ultraviolet dhe infra të kuqe, ndihmon në ruajtjen e freskisë në ditët e nxehta, ofron më shumë privatësi, komoditet dhe siguri gjatë drejtimit, si dhe ndihmon në ruajtjen e gjendjes së makinës duke e mbrojtur nga dëmtimet prej diellit.

Po ashtu, errësimi i rregullt i xhamave përmirëson shikimin duke reduktuar efektin verbues të dritave të tjera.

Megjithatë, ligji parashikon qartë kufizime për tejçimin e dritës. Xhami ballor nuk lejohet të errësohet, ndërsa xhamat anësorë të parë duhet të lejojnë të paktën 50% tejçim drite. Për xhamat e rreshtit të dytë, të tretë dhe pjesës fundore, lejohet një tejçim minimum prej 10%.

Përdorimi i ngjyrave të forta apo xhamave me reflektim pasqyrë është i ndaluar. Automjetet që nuk kanë një certifikim zyrtar për errësimin e xhamave nuk kalojnë kontrollin teknik dhe janë subjekt i masave ndëshkuese nga Policia Rrugore.


Shtuar 2.06.2025 17:15

Tags: ,