Është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dritan Gjika, i njohur edhe si kreu i mafies shqiptare në Ekuador.
Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Brendshme e Ekuadorit, e cila me anë të një postimi në X thotë se arrestimi i Gjikës u bë gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar sot (26 maj).
Të lidhura
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, 47-vjeçari shqiptar drejtonte një organizatë kriminale që vepronte në Ekuador dhe Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha droge në Amerikën Qendrore dhe Evropë.
Ministria e Brendshme tha në një deklaratë se “Dritan Gjika është bërë një nga burrat më të kërkuar në vend” për trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe operacionet e krimit të organizuar.
Në shkurt të vitit 2024, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit e quajti atë udhëheqësin e operacioneve të mafias shqiptare në vend, por ai nuk mundi të gjykohej sepse ishte i arratisur.
Në janar të këtij viti, një gjykatë ekuadoriane kundër korrupsionit dënoi tetë persona me afërsisht 17 vjet burg. Ata ishin pjesë e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare.

