Ditën e djeshme, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, ka denoncuar se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash, sipas tij për të blerë votat.
Sipas tij, informacioni i është përcjellë deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himçi, i cili ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.
Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.
Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.
Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).
Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.