Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u shqyrtua kërkesa e Partisë Socialiste për të shfuqizuar vendimin, i cili parashikon lënien mënjanë të votave të ardhura nga diaspora shqiptare në Greqi.
Kjo çështje ka sjellë përplasje të forta politike, ku opozita e cilëson si një ndërhyrje të rrezikshme në integritetin e zgjedhjeve.
Sipas përfaqësuesve të opozitës, është e papranueshme që shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të mos e shprehin lirshëm dhe personalisht vullnetin e tyre elektoral.
Ata akuzojnë se dikush tjetër ka votuar në vend të tyre, duke sjellë dyshime të forta për manipulim të procesit.
Në mbështetje të këtyre pretendimeve, opozita sjell në vëmendje shifrat zyrtare të raportuara nga KQZ.
Sipas tyre, nga data 17 prill deri më 4 maj, në vend kanë mbërritur rreth 17 mijë zarfe me materiale zgjedhore, me një mesatare prej rreth 1 mijë zarfe në ditë.
Ndërkohë, nga data 5 deri më 11 maj, janë regjistruar rreth 36 mijë zarfe — një mesatare prej 6 mijë zarfe në ditë – ç`ka për opozitën përbën një rritje të pazakontë dhe të pashpjegueshme, duke ngritur dyshime për një “anomalie” në proces.
Ata shtojnë se në pikat e shërbimit postar janë paraqitur vetëm drejtues politikë të PS dhe grupe patronazhistësh, të cilët i tërhiqnin dhe dorëzonin zarfet në mënyrë masive.
Kujtohet edhe deklarata publike e kryetarit të PS më 4 maj, ku ai vetë pranonte se procesi i votimit nga diaspora ishte kthyer në një “mish-mash”. Por sipas opozitës, sot PS duket se nuk e sheh më këtë si problem.
Për këtë arsye, opozita ka kërkuar që zarfeve të ardhura nga Greqia t’u bëhet një trajtim i veçantë, duke u depozituar në kuti të veçanta.
Vetë komisioneri i KQZ-së, i është drejtuar operatorit postar për informacione të detajuara mbi mënyrën e ardhjes dhe përpunimit të zarfeve, për të verifikuar nëse këto reflektojnë vullnetin real të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi apo janë produkt i ndërhyrjeve politike.
Nga ana tjetër, Komisioneri Ilirjan Celibashi, ka reaguar duke theksuar se të dhënat mbi pjesëmarrjen dhe çdo informacion tjetër, lidhur me procesin zgjedhor janë të disponueshme publikisht në faqen zyrtare të KQZ.
“Të gjitha të dhënat janë aty që prej ditës së diel dhe përditësohen në kohë reale”. deklaroi ai, duke përmendur edhe listat e zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në përfundim të seancës deklaroi se vendimi për këtë çështje do të shpallet në orën 15:00.
Logu: Ne nuk mund të lejojmë një cenim kaq të rëndë të procesit zgjedhor, që për shtetasit shqiptarë, bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi të mos e shprehin lirshëm dhe personalisht vullnetin e tyre, por të jetë dikush tjetër që ta bëjë në vendin e tyre.
Shifrat të cilat janë raportuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket zarfeve të marrë nga Greqia në fakt provojnë tërësisht një lloj anomalie që ka ndodhur në ditët e fundit.
Nga data 17 prill deri në datën 4 maj, ne kemi pasur rreth 17 mijë zarfe me materiale zgjedhore, me një mesatare ditore rreth 1 mijë zarfe në ditë.
Nga data 5 maj deri në datën 11 maj, për 6 ditë, ne pamë të arrinin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rreth 36 mijë zarfe me materiale zgjedhore ose 6 mijë zarfe në ditë, duke shënuar një lloj rekordi të paprecedent sepse të gjitha shtetet e tjera kishin një tendencë në rënie të zarfeve me materiale zgjedhore.
Tjetër zhvillim, nuk ka pasur veçse drejtuesve politikë të PS, dhe grupeve të patronazhistëve që paraqiteshin në pikat e shërbimit postar, e tërhiqnin zarfet me materiale zgjedhore dhe pasi i plotësonin i dorëzonin në mënyrë masive pranë këtyre pikave të shërbimit postar.
Ne kishim përfaqësuesit më të lartë të PS përfshirë edhe kryetarin e kësaj partie në një deklaratë publike të datës 4 maj 2025, që deklaronte që procesi i votimit të diasporës në Greqi u bë një mish-mash.
Tani çuditërisht duket se atë mish-mashin tani PS nuk e ka më problem. Ne vlerësojmë që ai mish-mashi që deklaronte kryeministri në Gjirokastër do duhet të shihet me vëmendje. Ne kemi kërkuar që zarfet e ardhura nga Greqia të evakuohen në këtë fazë, në kuti të veçanta.
Vetë komisioneri i KQZ i është drejtuar me një kërkesë operatorit postar për të marrë informacione të detajuara, dhe pas këtij informacioni të shohim sa prej këtyre 53 mijë zarfeve reflektojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe sa reflektojnë vullnetin e patronazhistëve të PS.
Celibashi: Dua të bëj me dije që informacioni mbi pjesëmarrjen dhe çdo e dhënë tjetër që ka të bëjë me procesin zgjedhor gjendet lehtësisht në faqen e internetit të KQZ, që prej ditës së dielë, si për pjesëmarrjen dhe çdo e dhënë tjetër, si për votimin brenda dhe jashtë vendit dhe përditësohen në kohë reale.
Fakti është që të dhënat gjenden pa përjashtim, kanë qenë aty që në ditën e parë. Numri i zgjedhësve në listën brenda vendit: 3467962! Numri i zgjedhësve në listën jashtë vendit: 245935; Nr i votuesve në qendrat e votimit: 1462138; Nr zarfave të numëruara në votimin nga jashtë:145441