SPAK dhe Krimi Kibernetik bastisin tre zyra call center në Tiranë, letërporosia erdhi nga Gjermania, mashtrimi me vlerë 3 miliardë lek

Tre ambiente të ndryshme në Tiranë që dyshohet se shërbemin si bazë për një platformë call centeri që kishte në fokus mashtrimin përmes investimit në platforma të rreme online, janë bastisur nga agjentët e Krimit Kibernetik, ata të Operacionales dhe të Policisë Kriminale.

Operacioni është drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, pas një letërporosie të mbërritur nga Gjermania, dhe është mbëhstetur nga Eurojust dhe Europol.

Tre departamentet në Policinë e Shtetit në Shqipëri në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Platforma”, kanë kryer ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ushtrimin e tre kontrolleve në ambiente të ndryshme.

Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në tre ambiente të ndryshme, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 aparate celularë, 1 laptop, 1 njësi kompjuterike, 1 USB, 1 hard disk i jashtëm, një shumë parash prej 40 020 eurosh.

Ekzekutimi i këtyre vendimeve është realizuar në kuadër të një letërporosie të lëshuar nga autoritetet gjermane, me mbështetjen e Europol, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.

Grupi kriminal dyshohet se ka mashtruar mbi 100 viktima me një dëm financiar prej mbi 3 milionë euro. Operacioni është zhvilluar në kuadër të një veprimi të koordinuar ndërkombëtar që përfshiu autoritetet e Gjermanisë, Shqipërisë, Qipros dhe Izraelit, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol.

Policia e Shtetit garanton se mbetet e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve financiare. Hetimet vijojnë.


Shtuar 13.05.2025 17:39