Kryesocialisti Edi Rama mbajti fjalën i fundit në mbyllje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në Tiranë. Rama i shprehu mirënjohjen shqiptarëve ndërsa i kërkoi atyre të mbështesin Partinë Socialiste më 11 Maj për Shqipërinë Europiane.
Rama tha se Partia Socialiste e ka ngjitur Shqipërinë në majën më të lartë ndërsa shtoi se ia kanë dalë përballë kundërshtarëve politikë. Rama theksoi se ne (Partia Socialiste) nuk jemi më e mira, por më të mirë se ne vetëm kur të dalin nga materniteti.
Sakaq, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se do të ngjiten më lart, duke thënë se do marrin më e pakta 78 mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
“Kudo ku jeni në Shqipëri, Europë e nëpër botë. Ju jam mirënjohës nga zemra për praninë tuaj në këtë fushë dhe u rikthyem këtu. E gjithë skuadra e Tiranës tonë, jo thjesht në takimin përmbyllës të një tjetër beteje zgjedhore, por në kulmin e një tjetër rrugëtimi 4-vjeçar ngjitjeje lart drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europës së bashkuar.
Nuk besoj tek rastësitë. Nuk ka rastësi në faktin që sot jemi këtu, më 9 Maj, në Ditën e Europës për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi dhe pastaj për të shkuar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, shumicën më të madhe ndonjëherë të shqiptarëve në kutitë e votimit dhe për të firmosur marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë Europiane, për Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Kur ju më zgjodhët për t’iu udhëhequr, ajo majë ishte e paarritshme për shqiptarët. Rruga jonë për të fituar zemrat e Shqipërisë nisi nga një mjegull e ftohtë e një disfate të rëndë. Kërkoi mund të madh dhe karakter të pathyeshëm edhe përballë thyerjeve më të forta.
Tirana u bë kështjella jonë ku ne transformonim papushim qytetin, duke hasur në çdo hap vrazhdësinë e injorancës armiqësore të kundërshtarëve tanë politik.
Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota, jam dakord me ta. Të marrësh më shumë vota sesa ne, duhet të jesh më i mirë se sa ne. Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se kështu si po shkojnë këto punë, kam frikë se duhet të presim të dalin nga materniteti sepse në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, harrojeni.
Edhe ata që medemek janë prurje të reja, i kemi parë, nuk ngjajnë me ne, por me kundërshtarët tanë të kahershëm, dava humbësash që janë larg me ne.”-tha Rama.