Ekzekutimi i 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë/ Zbardhet pista kryesore e hetimeve

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj në Vlorë. Raportohet se zona ku viktima kishte shtëpinë, ishte e vendosur në një vend shumë të lakmuar për ndërtime të reja, dhe pikërisht kjo indicie ka nxitur autorietet të hetojnë lidhjen e mundshme me vrasjen.

Burime pranë familjes së Hoxhajt, janë shprehur se kohët e fundit ai ishte shfaqur i shqetësuar, pasi kishte marrë kërcënime të ndryshme për të dhënë tokën për ndërtim, por nuk kishte pranuar.

Vetëm disa metra më larg banesës së viktimës, është ndërtuar një pallat disa katesh ku çmimet e apartamenteve janë të larta, duke shkuar në rreth 1500 euro për metër katror.

Mësohet se policia po merr në pyetje disa persona për këtë pistë, përfshirë pronarin e pallatit të ndërtuar pranë banesës të tij, për të vërtetuar nëse ekziston prej tij një kërkesë e tillë apo jo.

Sipas të njëjtave burime, në kontakte me të afërmit, viktima ishte shprehur se po merrte kërcënime për shtëpinë me qëllim që aty të ndërtohej por ishte duke rezistuar.

Kjo pistë po hetohet më intensivisht edhe për faktin që Hoxhaj nuk kishte probleme të tjera dhe në zonë njihej si një njeri i qetë dhe i respektueshëm.

Sakaq, dy fëmijët e rritur të tij nuk kanë patur shumë kontakte me të pasi jetojnë jashtë shtetit prej vitesh dhe kontaktet e vetme kanë qenë telefonike.


Shtuar 28.04.2025 11:29