Mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës, ku është gjetur i pajetë një shtetas 58-vjeçar, i identifikuar si Renato Hoxhaj.
Sipas informacioneve paraprake, viktima dyshohet se është vrarë me armë zjarri pranë banesës së tij, ndërsa mësohet se ai punonte si roje në një objekt ndërtimi në afërsi.
Policia ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, për të siguruar provat dhe për të identifikuar autorin ose autorët e mundshëm.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 06:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrugë, në afërsi të banesës së tij, është gjetur pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi Renato Hoxhaj, 58 vjeç, i cili ishte i punësuar dhe si roje në një objekt në ndërtim pranë banesës së tij.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.