Ditën e sotme, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 11 majit, në një konferencë për mediat, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi në selinë blu programin ekonomik të forcës që drejton.
Ai theksoi ndarjen ideologjike që, sipas tij, karakterizon këtë garë elektorale: “Dy filozofi përballen në këtë fushatë – liria ekonomike dhe ajo e kufizimit të saj”.
Gjithashtu, Berisha theksoi rikthimin e taksës së sheshtë prej 10% si një masë kyçe në programin e PD-së, duke premtuar se tatimi mbi pagat do të përgjysmohet nga niveli aktual prej 23%.
“Në tre muajt e parë të qeverisjes sonë, pagat e gjithë rrogëtarëve shqiptarë do të rriten me 13%. Kjo është një rritje e paparë në 12 vite”, deklaroi ai.
Në paketën fiskale të prezantuar përfshihen edhe:
Heqja e TVSH për biznesin e vogël deri në 180 mijë euro xhiro vjetore;
Ulja e taksës së transferimit të pronës nga 15% në 2%;
Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 8% në 2%;
Taksat lokale do të kufizohen në maksimumin 1% të xhiros, nga niveli aktual deri në 10%;
Ulja e TVSH-së nga 20% në 15%, për ta kthyer në një nga më të ulëtat në Evropë.
Berisha u shpreh se qëllimi i kësaj filozofie, është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, nxitja e investimeve dhe rritja e menjëhershme e të ardhurave për qytetarët.
Ai e mbylli fjalën me një thirrje për zgjedhësit: “Ftoj shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre mes plaçkitjes dhe lirisë ekonomike”.