U arratis nga burgu i Shënkollit, kapet pas dy muajsh 49-vjeçari Daut Laze

Dy muaj pas arratisjes së bujshme nga burgu i Shënkollit, është arrestuar mbrëmjen e djeshme në zonën e Astirit, në kryeqytet, Daut Laze.

49-vjeçari është vënë në pranga nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6 pas informacioneve të marra nga inteligjenca policore.

Daut Laze, u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, më datë 4 shkurt të këtij viti.

“Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë”, thuhet në njoftim.

Pas arratisjes së 49-vjeçarit, i cilësuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, policia kreu kontrolle të shumta tek të afërmit e tij, objekte kulti, apo edhe në banesa e ambiente të braktisura, ndërsa në këmbim të çdo informacioni që në ditën e parë të arratisjes u vendos një shpërblim prej 10 mijë eurosh.

Nga ekspertiza bënë në burg hetuesit, rezultoi se Daut Laze, ishte larguar i qetë dhe i vetëm nga qelia, rreth orës 03:44 minuta të datës 4 shkurt.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së burgut, u vërejt se 49-vjeçari kishte hasur vështirësi vetëm në momentin e kapërcimit të murit rrethues të institucionit, ndërsa e gjithë arratisja, sipas burimeve, nuk zgjati më shumë se 30 minuta.

Pas arratisjes së Lazes, u arrestuan tre punonjës të burgut të Shënkollit, për shpërdorim detyre, të cilët u lanë më pas me masa të buta sigurie nga gjykata.

Gjatë deklarimeve, punonjësit e burgut të Shënkollit kanë pohuar se gjatë kohës që kanë kaluar përballë dhomës ku Laze qëndronte i shtruar kanë kujtuar se ai ndodhej në gjumë në qeli.

49-vjeçari ishte arrestuar për dhunë në familje, por vitin e kaluar Gjykata e Tiranës kishte caktuar mjekim të detyrueshëm për të.


Shtuar 15.04.2025 09:30