“Maskaradë! Gjysma në burg dhe pjesa tjetër drejt asaj rruge”, Shehaj “shpërthen” ndaj Ballukut: Mirë që s’kanë turp, por nuk i tremben as ligjit e as Zotit

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shpërthyer ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, pasi kjo e fundit u shfaq duke kërcyer në mes të sheshit Skënderbej gjatë çeljes së fushatës së Partisë Socialiste.

Shehaj thotë se ato veprime të socialistëve janë një maskaradë, për shkak se e kanë gjysmën e qeverisë në burg dhe vetë janë drejt asaj rruge sapo t’iu vijë radha, por sërish sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Sipas Shehajt, ka 3 arsye pse njerëzit duhet të jenë qytetarë të ndershëm: E para është turpi, e dyta frika nga ligji dhe e treta frika nga Zoti, por për kreun e Mundësisë, Balluku nuk i trembet as ligjit e as Zotit.

“Çfarë maskarade! Kanë gjysmën e qeverisë në burg për korrupsion se kanë vjedhur qytetarët, dhe vetë janë jashtë jo sepse janë të ndershëm por sepse nuk iu ka ardhur radha akoma dhe shikoni se si sillen.

 

Ka 3 arsye në përgjithësi pse ne kërkojmë të jemi qytetarët të ndershëm. Ajo që na ndalon nga të sjellurit keq, e para është turpi, turpi nga vetja dhe turpi nga shoqëria. Por këta me sa duket nuk kanë turp.

E dyta është: kemi frikë nga shteti dhe nga ligji, por me sa duket mendojnë se shtetin e kanë në xhep dhe nuk i tremben ligjit.

Dhe e treta është sepse i trembemi Zotit, por këta nuk kanë frikë as nga Zoti, dhe kjo është arsyeja pse sillen në këtë farë mënyre”, shprehet Agron Shehaj.


Shtuar 12.04.2025 20:34