Michelle Obama ka hedhur poshtë zërat e pabazë për një divorc të mundshëm mes saj dhe ish-Presidentit Barack Obama.
Ish-Zonja e Parë i adresoi këto spekulime gjatë episodit të së mërkurës në podcast-in “Work in Progress” të aktores Sophia Bush, ku foli për vendimin e saj për të qëndruar më larg vëmendjes publike kohët e fundit.
“Gjëja interesante është se kur them ‘jo’, shumica e njerëzve e kuptojnë dhe unë jam në rregull me këtë,” u shpreh Michelle, duke iu referuar mungesës së saj në disa ngjarje politike ku bashkëshorti i saj ka marrë pjesë i vetëm.
“Ajo që na sfidon si gra është ndjenja e fajit kur zhgënjejmë të tjerët,” shtoi ajo.
“Në një pikë të tillë, njerëzit nuk mund të pranojnë që kam marrë një vendim për veten time, ndaj menjëherë supozojnë se unë dhe Barack jemi duke u divorcuar.”
Michelle qeshi me idenë e përfundimit të martesës së saj dhe hodhi poshtë sugjerimin se nuk mund të jetë thjesht “një grua e rritur që merr një sërë vendimesh për jetën e saj personale.”
“Por kjo është ajo që shoqëria bën me ne,” tha ajo. “Kur më në fund fillojmë të pyesim veten ‘Çfarë po bëj?’ apo ‘Për kë po e bëj këtë?’, dhe nëse përgjigjja nuk përputhet me stereotipet që të tjerët kanë për ne, menjëherë etiketohet si diçka negative ose e tmerrshme”.