“RCC dhe OKB rrisin bashkëpunimin për Ballkanin: Fokus te tranzicioni i gjelbër, dixhitalizimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm”
Stamboll-Partneriteti strategjik mes Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Kombeve të Bashkuara, mori një shtysë të re gjatë një takimi në Stamboll mes Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së, Amer Kapetanoviq, dhe Ivana Zhivkoviq, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe drejtuese e Byrosë Rajonale për Evropën dhe CIS në UNDP.
Bisedimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit për të adresuar sfidat dhe mundësitë zhvillimore të rajonit të Ballkanit, në kuadër të Strategjisë SEE2030- një platformë ambicioze që pasqyron Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Kapetanoviq theksoi suksesin e nismës së përbashkët SEESAC dhe shtoi: “Nga tranzicioni i gjelbër te përfshirja gjinore dhe transformimi dixhital, po ndërtojmë ura konkrete për të ardhmen e rajonit.
Harmonizimi me UNDP-në është thelbësor për të sjellë rezultate që ndihen nga qytetarët”.
Nga ana e saj, Zhivkoviq vlerësoi rolin e RCC-së si katalizator i bashkëpunimit dhe theksoi se sinergjia me këtë organizatë, është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar partneritetin në fusha kyçe si Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM), Agjenda e Gjelbërt për Ballkanin Perëndimor (GAWB) dhe përgatitjen e fazës së re strategjike të RCC-së në bashkërendim me programet e UNDP-së.