Për herë të parë në 10 vjet, Zayn Malik performoi një këngë nga One Direction

Zayn Malik surprizoi fansat e tij duke interpretuar “Night Changes”, këngën ikonike të One Direction, për herë të parë pas një dekade. Ky moment historik ndodhi pikërisht në 10-vjetorin e largimit të tij nga grupi, duke e bërë performancën edhe më domethënëse.

Në koncertin e tij të parë solo në një arenë, të mbajtur në Palacio De Los Deportes në Mexico City, Zayn hapi mbrëmjen me këtë baladë të dashur nga publiku. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë audiencën që shpërthen në brohoritje sapo ai nis të këndojë vargun e parë.

I emocionuar nga reagimi i fuqishëm i turmës, 32-vjeçari u shpreh: “Nuk e kam kënduar këtë këngë për 10 vjet. Faleminderit, ishte një përvojë e mrekullueshme, pothuajse qava”.

Ky moment i paharrueshëm ka bërë xhiron e internetit, duke sjellë nostalgji te fansat e tij dhe të One Direction.


Shtuar 27.03.2025 14:36